18. Ata lanë menjëherë rrjetat dhe shkuan pas tij.
19. Pak më tutje Jezui pa Jakobin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, që ishin në varkë duke qepur rrjetat
20. dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët dhe shkuan pas tij.
21. Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit.
22. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me autoritet dhe jo si skribët.
23. Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë,
24. që filloi të thërrasë: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i Shenjti i Perëndisë».
25. Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!».
26. Shpirti i ndyrë doli prej tij, duke e shkundur dhe duke thirrur me zë të lartë.
27. Të gjithë u mahnitën dhe pyesnin njëri-tjetrin: «Ç’është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me autoritet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë dhe ata i binden».
28. E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.
29. Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin.
30. Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit, që dergjej në shtrat me ethe.