10. Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin e Shenjtë si një pëllumb duke zbritur mbi të.
11. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».
12. Menjëherë Shpirti i Shenjtë e çoi Jezuin në shkretëtirë.
13. Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.
14. Pas arrestimit të Gjonit, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë
15. dhe thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni dhe besoni në ungjill».
16. Ndërsa po kalonte bregut të Liqenit të Galilesë, Jezui pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë.
17. Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish».
18. Ata lanë menjëherë rrjetat dhe shkuan pas tij.
19. Pak më tutje Jezui pa Jakobin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, që ishin në varkë duke qepur rrjetat
20. dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët dhe shkuan pas tij.
21. Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit.