1. Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.
2. Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isaia: Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde.
3. Ai është zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij.
4. Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t’u faleshin mëkatet.
5. Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai dhe pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre.
6. Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
7. Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t’i zgjidhur lidhëset e sandaleve.
8. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë».
9. Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan.
10. Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin e Shenjtë si një pëllumb duke zbritur mbi të.
11. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».