Luka 7:22-27 Së Bashku (ALNT)

22. Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbërit po shohin përsëri dhe të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u shpallet ungjilli.

23. Lum ai që nuk humbet besimin në mua».

24. Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t’u fliste turmave për Gjonin e tha:«Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era?

25. Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore.

26. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them madje më shumë se një profet.

27. Gjoni është ai për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë: Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde.

Luka 7