10. Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht.
11. Por ata u tërbuan dhe filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t’i bënin Jezuit.
12. Gjatë këtyre ditëve Jezui shkoi në mal për t’u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë.
13. Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj.
14. Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi dhe Gjoni, Filipi dhe Bartolomeu,
15. Mateu dhe Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar,
16. Juda i Jakobit dhe Judë Iskarioti, që u bë tradhtar.
17. Jezui zbriti së bashku me ta dhe u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi dhe bregu i Tirit e i Sidonit.
18. Kishin ardhur për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin
19. dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte.
20. Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha:«Lum ju që jeni të varfër,se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë!