1. Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin.
2. Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?».
3. Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të?
4. Se si hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë dhe u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t’i hajë askush përveç priftërinjve?».
5. Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i së shtunës».
6. Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë dhe filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.
7. Skribët dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur.
8. Jezui, edhe pse e dinte se çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit.
9. Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?».
10. Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht.
11. Por ata u tërbuan dhe filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t’i bënin Jezuit.