2. Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat.
3. Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul dhe mësonte turmën nga varka.
4. Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko drejt thellësisë e hidhi rrjetat për peshkim».
5. Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, po për hir të fjalës sate do t’i hedh rrjetat».
6. Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat.
7. Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër që të vinin e t’i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin.
8. Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit dhe tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar».
9. Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë.
10. Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, që ishin të afërm të Simonit.Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë, që tani do të bëhesh peshkatar njerëzish».
11. Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka dhe shkuan pas Jezuit.
12. Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys dhe iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh».
13. Jezui shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë.
14. Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt dhe i tha: «Shko e paraqitu te prifti dhe kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t’u shërbejë si dëshmi».