Luka 3:1-10 Së Bashku (ALNT)

1. Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë dhe Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës

2. dhe kryepriftërinj ishin Hanai dhe Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë.

3. Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve që të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t’u faleshin mëkatet.

4. Siç është shkruar në librin e profetit Isaia: Një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij.

5. Çdo luginë le të mbushet dhe çdo mal e kodër le të rrafshohet. Drejtoni udhët e shtrembra dhe rrafshoni rrugët e ashpra.

6. Çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Perëndisë.

7. Gjoni u thoshte turmave që vinin për t’u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen?

8. Tregojeni me vepra se jeni penduar dhe mos filloni t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë.

9. Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr».

10. Turmat e pyetën: «Ç’duhet të bëjmë, atëherë?».

Luka 3