Luka 24:1-14 Së Bashku (ALNT)

1. Të dielën, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur.

2. Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri,

3. u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu.

4. Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese.

5. Gratë i zuri frika dhe ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur.

6. Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile,

7. se si Biri i njeriut duhet t’u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej dhe të tretën ditë të ngjallej».

8. Ato kujtuan fjalët e tij

9. dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve dhe të gjithë të tjerëve.

10. Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve,

11. por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë dhe nuk u besuan.

12. Megjithatë Pjetri u ngrit dhe vrapoi te varri. U përkul e shikoi brenda. Ai pa vetëm pëlhurat dhe u kthye në shtëpi i mrekulluar për çfarë kishte ndodhur.

13. Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus, që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi.

14. Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur.

Luka 24