Luka 22:31-47 Së Bashku (ALNT)

31. «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t’ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin,

32. por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu».

33. Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg dhe në vdekje».

34. Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».

35. Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë dhe pa sandale, a ju mungoi gjë?».Ata i thanë: «Asgjë».

36. Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t’i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë mantelin e vet dhe të blejë një shpatë.

37. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet Shkrimi i shenjtë që thotë: U radhit me të paudhët. E me të vërtetë, çfarë është thënë për mua po përmbushet».

38. Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata».Ai u përgjigj: «Është mjaft».

39. Jezui doli e shkoi në Malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij.

40. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim».

41. Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë dhe u lut

42. kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!».

43. Pastaj iu shfaq një engjëll nga qielli dhe i dha forcë.

44. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.

45. Kur u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur nga trishtimi.

46. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni dhe lutuni që të mos bini në tundim».

47. Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur,

Luka 22