Luka 22:17-27 Së Bashku (ALNT)

17. Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit dhe tha: «Merreni dhe ndajeni këtë mes jush.

18. Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë».

19. Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve dhe tha: «Ky është trupi im, që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».

20. Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që derdhet për ju.

21. Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë.

22. Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton».

23. Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre mund të ishte ai që do ta bënte këtë gjë.

24. Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi.

25. Por Jezui u tha:«Mbretërit e paganëve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës.

26. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi nga ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori.

27. Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.

Luka 22