38. Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.
39. Kur kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.
40. Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.
41. Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës.
42. Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit.
43. Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t’u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë.
44. Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën dhe pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit,
45. por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
46. Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte dhe i pyeste.
47. Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia dhe përgjigjet e tij.
48. Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë dhe yt atë po të kërkonim gjithë ankth».
49. Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?».
50. Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.
51. Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër.
52. Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë dhe njerëzve.