Luka 17:7-18 Së Bashku (ALNT)

7. Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t’i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë!”?

8. A nuk do t’i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti.”?

9. Mos vallë e falënderon shërbëtorin sepse bëri detyrën?

10. Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”».

11. Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë.

12. Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg

13. dhe thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!».

14. Jezui i pa dhe u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë».Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan.

15. Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

16. Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan.

17. Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë?

18. Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t’i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?».

Luka 17