Luka 13:8-21 Së Bashku (ALNT)

8. Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj,

9. se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, preje”».

10. Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë.

11. Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur për tetëmbëdhjetë vjet të kërrusur. Ajo nuk mund të rrinte drejt.

12. Jezui e pa, e thirri dhe i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote».

13. Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë.

14. Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t’u shëruar e jo ditën e shtunë».

15. Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun ose gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t’i dhënë ujë?

16. Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?».

17. Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai.

18. Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj?

19. Ajo ngjan me farën e sinapit, që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj».

20. Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?

21. Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa mielli, derisa u mbrujt i gjithë brumi».

Luka 13