37. Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë.
38. Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante.
39. Atëherë Zoti i tha:«Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi.
40. Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen?
41. Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme dhe kështu do të keni të pastër gjithçka.
42. Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat.
43. Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe!
44. Mjerë ju që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».
45. Njëri nga mësuesit e ligjit të Moisiut iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra».
46. Por Jezui i tha:«Mjerë edhe ju, mësues të ligjit të Moisiut, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t’i mbajtur!
47. Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë!
48. Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret.