Luka 11:22-30 Së Bashku (ALNT)

22. Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën dhe u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.

23. Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.»

24. «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë, duke kërkuar prehje dhe kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola.”

25. Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar.

26. Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».

27. Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!».

28. Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».

29. Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte:«Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një mrekulli, por asaj nuk do t’i jepet asnjë mrekulli, përveç mrekullisë së Jonait.

30. Sikurse Jonai u bë shenjë mrekullie për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni.

Luka 11