22. Po kur doli, ai nuk mundi t’u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. Ai u bënte shenja dhe nuk fliste dot.
23. Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi.
24. Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur dhe thoshte:
25. «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».
26. Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret,
27. te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari.
28. Engjëlli shkoi tek ajo dhe i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty».
29. Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje.
30. Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.
31. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu.
32. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i më të Lartit dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij.
33. Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim».
34. Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?».
35. Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i Shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë.
36. Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t’i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë.
37. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur».
38. Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.
39. Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë.