21. Populli priste Zakarian dhe ishte i habitur për vonesën e tij në tempull.
22. Po kur doli, ai nuk mundi t’u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. Ai u bënte shenja dhe nuk fliste dot.
23. Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi.
24. Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur dhe thoshte:
25. «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».
26. Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret,
27. te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari.
28. Engjëlli shkoi tek ajo dhe i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty».
29. Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje.
30. Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.
31. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu.
32. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i më të Lartit dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij.