Juda 1:18-25 Së Bashku (ALNT)

18. «Në kohët e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas dëshirave të tyre të shthurura».

19. Këta janë ata që shkaktojnë përçarje, janë njerëz shqisorë dhe nuk e kanë Shpirtin e Perëndisë.

20. Ndërsa ju, fort të dashurit e mi, ndërtojeni veten me besimin tuaj shumë të shenjtë dhe lutuni me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë.

21. Qëndroni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetën e amshuar.

22. Kini mëshirë për ata që janë me dy mendje.

23. Disa shpëtojini, duke i rrëmbyer prej zjarrit; të tjerët t’i mëshironi me druajtje, duke urryer edhe rrobën e tyre të ndotur nga epshet e trupit.

24. Atij që mund t’ju ruajë për të mos rënë në mëkat dhe që mund t’ju paraqesë pa të meta e plot gëzim para lavdisë së tij,

25. të vetmit Perëndi, Shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, atij i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti që përpara shekujve, tani dhe për të gjithë shekujt! Amen!

Juda 1