13. Askush, kur tundohet, të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia». Perëndia nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askënd.
14. Secili tundohet nga lakmia e vet, që e josh dhe e mashtron.
15. Kur lakmia mbarset, pjell mëkatin, ndërsa mëkati që kryhet sjell vdekjen.
16. Vëllezërit e mi të dashur, mos u mashtroni!
17. Çdo e mirë që na është dhënë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga lart dhe zbret nga Ati i dritave qiellore. Perëndia nuk ndryshon dhe nuk lëshon hije.
18. Prej vullnetit të tij na dha jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi fryti i parë i krijesave të tij.
19. Vëllezërit e mi të dashur, dijeni se çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur dhe i ngadaltë në zemërim.
20. Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.
21. Prandaj hidhni tej çdo ndyrësi dhe çdo ligësi tjetër dhe me përulësi pranoni fjalën që Perëndia ka mbjellë ndër ju, fjalë e cila mund t’ju shpëtojë shpirtrat.
22. Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë veten.
23. Sepse nëse dikush është vetëm dëgjues i fjalës dhe jo zbatues i saj, ai i ngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë,
24. por pasi shihet, ikën e menjëherë harron se si ishte.
25. Ndërsa ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur të lirisë dhe ngulmon në të, ai që nuk mbetet vetëm një dëgjues që harron, por zbatues i tij, do të jetë i lum në gjithçka që bën.
26. Kush mendon se është fetar dhe nuk i vë fre gjuhës, mashtron veten dhe feja e tij është e kotë.