16. Por tani ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë një atdhe qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse u kishte bërë gati një qytet.
17. Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, kushtoi si flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, kushtoi birin e tij të vetëm,
18. ndonëse Perëndia i kishte thënë: Nga Isaku do të rrjedhin pasardhësit e tu.
19. Abrahami mendonte se Perëndia mund ta ngjallte prej të vdekurve dhe e mori, në një farë mënyre, Isakun prej të vdekurve.
20. Me anë të besimit, Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun për gjërat e ardhshme.
21. Me anë të besimit, Jakobi, kur po vdiste, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi Perëndinë, duke u mbështetur te shkopi i tij.
22. Me anë të besimit, Jozefi, duke vdekur, përmendi daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti dhe i porositi për eshtrat e tij.
23. Me anë të besimit, prindërit e Moisiut e fshehën atë për tre muaj pas lindjes, sepse e panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit.
24. Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhet bir i së bijës së faraonit.
25. Ai zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht jetën në mëkat.