Hebrenjve 10:26-39 Së Bashku (ALNT)

26. Nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohuritë e së vërtetës, atëherë nuk ka më asnjë flijim për mëkatet.

27. Përkundrazi, na pret gjykimi i tmerrshëm dhe zjarri i ndezur, që përpin kundërshtarët.

28. Nëse dikush shkel ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë me dëshminë e dy a tre dëshmitarëve.

29. A e merrni me mend se ç’dënim më të madh do të meritojë ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë, që e ka parë si të pavlerë gjakun e besëlidhjes, me të cilin u shenjtërua dhe që ka sharë Shpirtin e hirit?

30. Sepse ne e njohim atë që ka thënë: «Shpagimi më përket mua dhe unë jam ai që do të marrë shpagim».Si dhe: «Zoti gjykon popullin e tij».

31. Është gjë e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë.

32. Sillini ndër mend ditët e shkuara! Atëherë, pasi u ndriçuat, ju duruat me shumë mundime një luftë të madhe,

33. herë të përqeshur dhe të munduar botërisht, herë duke marrë pjesë në vuajtjet e atyre që trajtoheshin kështu.

34. Ju keni vuajtur bashkë me të burgosurit dhe kur ju kanë rrëmbyer pasuritë, keni duruar me gëzim, sepse e keni ditur se keni një pasuri më të madhe dhe të qëndrueshme.

35. Mos e humbisni, pra, guximin tuaj! Ai ka shpërblim të madh.

36. Keni nevojë për durim që të bëni vullnetin e Perëndisë dhe të fitoni premtimin.

37. Sepse edhe pak kohë, vetëm pak, edhe do të vijëai që duhet të vijë dhe nuk do të vonohet.

38. I drejti im do të jetojë prej besimit,por nëse zmbrapset, shpirti im nuk do të kënaqet me të.

39. Ne nuk jemi nga ata që zmbrapsen dhe humbasin, por nga ata që besojnë dhe shpëtojnë shpirtin.

Hebrenjve 10