4. Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
5. Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës».
6. Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë dhe ia leu sytë me baltë të verbërit.
7. Pastaj i tha: «Shko dhe lahu te pishina e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte.
8. Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?».
9. Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam».
10. Atëherë ata e pyetën: «Si t’u hapën sytë?».
11. Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m’i leu sytë dhe më tha: “Shko te pishina e Siloamit dhe lahu!”. Unë shkova, u lava dhe pashë».
12. Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?».Ai u përgjigj: «Nuk e di».
13. Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë.
14. Atë ditë që Jezui bëri baltën dhe hapi sytë e të verbërit, ishte e shtunë.
15. Farisenjtë e pyetën përsëri sesi e fitoi dritën e syve. Ai u tha: «Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe tani shoh».
16. Disa nga farisenjtë thoshin: «Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën».Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë mrekulli të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre.
17. Ata e pyetën përsëri të verbërin: «Ti çfarë thua për atë që t’i hapi sytë?».Ai u tha: «Është profet».