Gjoni 9:16-25 Së Bashku (ALNT)

16. Disa nga farisenjtë thoshin: «Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën».Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë mrekulli të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre.

17. Ata e pyetën përsëri të verbërin: «Ti çfarë thua për atë që t’i hapi sytë?».Ai u tha: «Është profet».

18. Por derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër dhe tani shihte.

19. Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?».

20. Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër,

21. por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten e tij».

22. Prindërit e tij i thanë këto sepse kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti.

23. Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!».

24. Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar».

25. Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër dhe tani shoh».

Gjoni 9