Gjoni 9:1-13 Së Bashku (ALNT)

1. Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër.

2. Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?».

3. Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë.

4. Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.

5. Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës».

6. Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë dhe ia leu sytë me baltë të verbërit.

7. Pastaj i tha: «Shko dhe lahu te pishina e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte.

8. Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?».

9. Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam».

10. Atëherë ata e pyetën: «Si t’u hapën sytë?».

11. Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m’i leu sytë dhe më tha: “Shko te pishina e Siloamit dhe lahu!”. Unë shkova, u lava dhe pashë».

12. Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?».Ai u përgjigj: «Nuk e di».

13. Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë.

Gjoni 9