Gjoni 8:6-23 Së Bashku (ALNT)

6. Këtë e thanë për ta zënë në kurth, që të kishin për çfarë ta padisnin, por Jezui u ul dhe filloi të shkruante me gisht në tokë.

7. Meqenëse ata po vazhdonin ta pyesnin, ai u ngrit e tha: «Kush është pa mëkat ndër ju le të hedhë i pari gurin mbi të!».

8. Pastaj u ul përsëri dhe shkruante në tokë.

9. Kur e dëgjuan këtë, ata u larguan njëri pas tjetrit duke filluar nga më të moshuarit. Mbeti vetëm Jezui me gruan që qëndronte në mes.

10. Jezui u ngrit dhe i tha: «Grua, ku janë paditësit e tu? Askush nuk të dënoi?».

11. Ajo u përgjigj: «Askush, zotëri». Jezui i tha: «Atëherë as unë nuk po të dënoj. Shko dhe mos mëkato më që tani e tutje!».

12. Atëherë Jezui foli përsëri me ta dhe u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës».

13. Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë».

14. Jezui u përgjigj:«Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur dhe ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

15. Ju gjykoni si njerëz, ndërsa unë nuk gjykoj askënd.

16. Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi.

17. Në ligjin e Moisiut shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.

18. Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua».

19. Ata i thanë: «Ku është Ati yt?».Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim».

20. Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.

21. Jezui u tha përsëri farisenjve: «Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, por do të vdisni në mëkatin tuaj. Ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë».

22. Judenjtë thoshin: «Mos do të vrasë veten kur thotë “ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë”?».

23. Ai u tha: «Ju jeni prej këtu poshtë, unë jam prej së larti. Ju jeni nga kjo botë, unë nuk jam nga kjo botë.

Gjoni 8