Gjoni 8:14-25 Së Bashku (ALNT)

14. Jezui u përgjigj:«Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur dhe ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

15. Ju gjykoni si njerëz, ndërsa unë nuk gjykoj askënd.

16. Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi.

17. Në ligjin e Moisiut shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.

18. Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua».

19. Ata i thanë: «Ku është Ati yt?».Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim».

20. Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.

21. Jezui u tha përsëri farisenjve: «Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, por do të vdisni në mëkatin tuaj. Ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë».

22. Judenjtë thoshin: «Mos do të vrasë veten kur thotë “ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë”?».

23. Ai u tha: «Ju jeni prej këtu poshtë, unë jam prej së larti. Ju jeni nga kjo botë, unë nuk jam nga kjo botë.

24. Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja. Nëse nuk besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja».

25. Ata i thanë: «Kush je ti?».Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam.

Gjoni 8