Gjoni 6:50-65 Së Bashku (ALNT)

50. Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë.

51. Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im, që e jap për jetën e botës».

52. Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?».

53. Jezui u tha:«Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut dhe nuk pini gjakun e tij, ju nuk keni jetë.

54. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit,

55. sepse mishi im është ushqim i vërtetë dhe gjaku im pije e vërtetë.

56. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim mbetet në mua dhe unë në të.

57. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje.

58. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim».

59. Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum.

60. Shumë nga dishepujt e tij kur dëgjuan këto, thanë: «Fjala e tij është shumë e ashpër. Kush mund ta dëgjojë?».

61. Jezui, duke e ditur se dishepujt po murmurisnin për këto, u tha: «Kjo ju skandalizon?

62. Po kur ta shikoni Birin e njeriut të ngjitet atje ku ishte më parë?

63. Shpirti i Shenjtë jep jetë, ndërsa gjërat njerëzore nuk sjellin asnjë dobi. Fjalët që ju thashë janë shpirt dhe jetë».

64. Por ka disa nga ju që nuk besojnë. Në të vërtetë Jezui e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte.

65. Dhe u tha: «Prandaj ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë prej Atit».

Gjoni 6