1. Pastaj judenjtë kishin një festë dhe Jezui shkoi në Jerusalem.
2. Në Jerusalem, afër Portës së Dhenve, kishte një pishinë me pesë portikë që në hebraisht quhet Betzata.
3. Atje dergjeshin shumë të sëmurë, të verbër, të çalë e të paralizuar.
4 . sepse një engjëll zbriste herë pas here në pishinë dhe trazonte ujin. Kush hynte i pari në pishinë pas trazimit të ujit shërohej nga çdo sëmundje që kishte. Aty ishte dhe një njeri i sëmurë, që kishte tridhjetë e tetë vjet që vuante.
6. Jezui, kur e pa që dergjej i sëmurë dhe duke e ditur se kishte shumë kohë që vuante, i tha: «A dëshiron të shërohesh?».
7. I sëmuri iu përgjigj: «Zotëri, nuk kam njeri që të më fusë në pishinë kur trazohet uji. Kur përpiqem të hyj unë, dikush tjetër zbret para meje».
8. Jezui i tha: «Ngrihu, merre shtrojën tënde dhe ec!».
9. Ai njeri u shërua në çast, mori shtrojën dhe eci. Por, meqenëse atë ditë ishte e shtunë,
10. judenjtë i thanë të shëruarit: «Sot është e shtunë dhe nuk të lejohet të mbartësh shtrojën».
11. Ai u përgjigj: «Ai që më shëroi më tha: merre shtrojën tënde dhe ec!».
12. Ata e pyetën: «Cili është ky njeri që të tha: merre shtrojën dhe ec?».
13. I shëruari nuk e dinte kush ishte, sepse në të vërtetë Jezui kishte humbur mes turmës së njerëzve që ndodheshin aty.
14. Më vonë Jezui e gjeti atë në tempull dhe i tha: «Ja ku u shërove! Mos mëkato më, që mos të të ndodhë ndonjë e keqe më e madhe».
15. Ai njeri shkoi e u tregoi judenjve se ai që e kishte shëruar ishte Jezui.
16. Atëherë judenjtë filluan ta përndjekin Jezuin, meqenëse ai i bënte këto gjëra të shtunën.
17. Ndërsa Jezui u tha: «Ati im vepron gjithmonë, prandaj edhe unë veproj».
18. Kështu judenjtë kërkonin edhe më shumë ta vrisnin, sepse jo vetëm që shkelte ligjin e së shtunës, por edhe thoshte se Perëndia ishte Ati i tij, duke e bërë veten të barabartë me Perëndinë.