11. Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.
12. Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t’ju flas për gjërat qiellore?
13. Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit.
14. Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut,
15. që kushdo që beson në të, të ketë jetën e amshuar.
16. Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar.
17. Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij.
18. Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
19. Gjykimi është ky: Drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga.
20. Kush bën gjëra të këqija e urren dritën dhe nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij.
21. Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë».
22. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në krahinën e Judesë. Atje qëndroi për pak kohë me ta dhe pagëzonte.
23. Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse atje kishte shumë ujë dhe njerëzit shkonin tek ai dhe pagëzoheshin.
24. Në atë kohë Gjoni nuk ishte burgosur ende.
25. Atëherë, dishepujt e Gjonit filluan të diskutonin me një jude rreth ritit të pastrimit.
26. Ata shkuan te Gjoni dhe i thanë: «Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja, po pagëzon dhe të gjithë po shkojnë tek ai».
27. Gjoni u përgjigj:«Askush nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë prej qiellit.
28. Vetë ju keni qenë dëshmitarë kur thashë: “Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij.”
29. Ai që ka nusen është dhëndri, ndërsa miku i dhëndrit që rri dhe e dëgjon, ngazëllehet nga zëri i dhëndrit. Ky pra është gëzimi im dhe tani është bërë i plotë.
30. Krishti duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem.»