17. Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi dhe thuaju se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, Perëndia im dhe Perëndia juaj».
18. Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.
19. Në mbrëmjen e po asaj dite, të dielën, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes dhe u tha: «Paqja me ju!».
20. Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin.
21. Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju».
22. Pasi tha këto, hukati mbi ta dhe u tha: «Merrni Shpirtin e Shenjtë!
23. Atyre që ua falni mëkatet, do t’u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t’u falen».
24. Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui.
25. Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin».Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj».
26. Pas tetë ditësh, dishepujt ishin përsëri brenda në dhomë dhe me ta ndodhej edhe Thomai. Atëherë erdhi Jezui, megjithëse dyert ishin mbyllur, qëndroi në mes dhe u tha: «Paqja me ju!».