Gjoni 18:19-34 Së Bashku (ALNT)

19. Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij.

20. Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga dhe në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë dhe nuk kam folur kurrë fshehtas.

21. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë».

22. Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë dhe i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?».

23. Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja; por nëse fola mirë, përse më godet?».

24. Atëherë Hanai e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa.

25. Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?».Ai e mohoi dhe tha: «Nuk jam».

26. Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?».

27. Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli.

28. Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën.

29. Atëherë Pilati doli përjashta dhe u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?».

30. Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty».

31. Pilati u tha: «Atëherë merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj».Judenjtë i thanë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri».

32. Kjo, që të vërtetohej fjala që kishte thënë Jezui kur kishte treguar se me ç’vdekje do të vdiste.

33. Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezuin dhe i tha: «A je ti mbreti i judenjve?».

34. Jezui u përgjigj: «Këtë e thua nga vetja apo ta kanë thënë të tjerë?».

Gjoni 18