Gjoni 17:6-14 Së Bashku (ALNT)

6. Emrin tënd ua shfaqa njerëzve që ti më dhe nga kjo botë. Ishin të tutë, ti m’i ke dhënë dhe e kanë mbajtur fjalën tënde.

7. Tani ata e dinë se gjithçka që më ke dhënë është prej teje,

8. sepse fjalët që më dhe mua ua dhashë atyre. Ata i pranuan, kuptuan se unë kam dalë me të vërtetë prej teje dhe besuan se ti më dërgove.

9. Unë po lutem për ata. Nuk po lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë.

10. Gjithçka e imja është e jotja dhe gjithçka e jotja është e imja dhe në ta jam përlëvduar.

11. Unë nuk jam më në botë. Ata janë në botë, ndërsa unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd, në emrin që më dhe mua, që të jenë një, sikurse ne.

12. Kur isha me ta, i ruaja në emrin tënd, në emrin që ti më dhe. I mbrojta dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveç birit të humbjes që të përmbushet Shkrimi i shenjtë.

13. Tani po vij te ti dhe këto gjëra i them në botë, që ta kenë të plotë gëzimin tim në veten e tyre.

14. Unë u dhashë atyre fjalën tënde dhe bota i urreu, sepse ata nuk janë nga bota sikurse dhe unë nuk jam nga bota.

Gjoni 17