Gjoni 15:15-27 Së Bashku (ALNT)

15. Nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti. Por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njohur gjithçka që dëgjova prej Atit tim.

16. Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha juve. Ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, që fryti juaj të mbetet dhe që Ati t’ju japë çfarëdo që t’i kërkoni në emrin tim.

17. Këtë po ju urdhëroj: duajeni njëri-tjetrin.»

18. «Nëse bota ju urren, dijeni se më ka urryer mua para jush.

19. Po të ishit prej kësaj bote, atëherë bota do t’ju donte si të vetët. Por, ngaqë ju kam zgjedhur nga bota dhe nuk jeni prej kësaj bote, prandaj dhe ju urren.

20. Kujtoni fjalët që ju thashë: shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua do t’ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time do të zbatojnë edhe tuajën.

21. Por të gjitha këto do t’jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi.

22. Po të mos kisha ardhur e të mos u kisha folur, nuk do të kishin mëkat, por tani nuk kanë shfajësim për mëkatin e tyre.

23. Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.

24. Po të mos kisha bërë mes tyre veprat që askush tjetër nuk i ka bërë, nuk do të kishin mëkat, por tani kanë parë dhe më kanë urryer edhe mua, edhe Atin tim.

25. Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: Më urryen pa asnjë shkak.

26. Kur të vijë Ngushëlluesi që unë do t’ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, i cili del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua.

27. Edhe ju do të dëshmoni, sepse keni qenë me mua që nga fillimi.»

Gjoni 15