1. «Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.
2. Çdo shermend që është në mua dhe që nuk jep fryt, ai e këput, ndërsa çdo shermend që jep fryt ai e krasit dhe e pastron, që të japë më shumë fryt.
3. Fjala që unë ju kam folur ju ka pastruar tashmë.
4. Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt vetvetiu, pa qëndruar në hardhinë, kështu as ju nuk do të mund të jepni fryt nëse nuk qëndroni në mua.
5. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.
6. Nëse dikush nuk qëndron në mua do të hidhet jashtë si shermendi dhe do të thahet. Këta shermende do t’i mbledhin, do t’i hedhin në zjarr e do të digjen.
7. Po të qëndroni në mua dhe fjalët e mia të qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju jepet.
8. Në këtë përlëvdohet Ati im: që të jepni shumë fryt e të bëheni dishepujt e mi.
9. Unë ju kam dashur, ashtu siç më ka dashur Ati mua. Qëndroni në dashurinë time!
10. Po të zbatoni urdhërimet e mia do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë kam zbatuar urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.
11. Këto jua thashë që gëzimi im të jetë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.
12. Ky është urdhërimi im: duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë juve.
13. Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë.
14. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni ato që ju urdhëroj.