Gjoni 12:5-23 Së Bashku (ALNT)

5. «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë dhe t’u jepeshin të varfërve?».

6. Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave dhe merrte prej saj çfarë hidhej në të.

7. Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim!

8. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».

9. Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje dhe shkuan jo vetëm për të, por edhe që të shikonin Lazarin, që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve.

10. Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin,

11. sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij dhe besonin në Jezuin.

12. Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem,

13. mori degë palmash dhe i doli para duke thirrur:«Hosana! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit,mbreti i Izraelit!».

14. Jezui gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar në Shkrimin e shenjtë:

15. Mos ki frikë, o bijë e Sionit! Ja, mbreti yt po vjen hipur mbi një kërriç!

16. Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, po kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, ashtu siç thoshte Shkrimi i shenjtë.

17. Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të.

18. Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar se kishte bërë këtë mrekulli.

19. Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç’bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!».

20. Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa grekë.

21. Ata shkuan te Filipi që ishte nga Betsaida e Galilesë dhe iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin».

22. Filipi shkoi dhe i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan dhe i thanë Jezuit.

23. Jezui u përgjigj:«Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut!

Gjoni 12