3. Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë dhe ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës.
4. Atëherë, Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha:
5. «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë dhe t’u jepeshin të varfërve?».
6. Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave dhe merrte prej saj çfarë hidhej në të.
7. Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim!
8. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».
9. Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje dhe shkuan jo vetëm për të, por edhe që të shikonin Lazarin, që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve.
10. Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin,
11. sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij dhe besonin në Jezuin.
12. Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem,
13. mori degë palmash dhe i doli para duke thirrur:«Hosana! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit,mbreti i Izraelit!».
14. Jezui gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar në Shkrimin e shenjtë:
15. Mos ki frikë, o bijë e Sionit! Ja, mbreti yt po vjen hipur mbi një kërriç!
16. Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, po kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, ashtu siç thoshte Shkrimi i shenjtë.
17. Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të.