Gjoni 12:29-46 Së Bashku (ALNT)

29. Turma që rrinte dhe dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll».

30. Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, po për ju.

31. Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote!

32. Kur unë të lartësohem nga toka, do t’i tërheq të gjithë pranë vetes».

33. Këtë e tha për të treguar me ç’vdekje do të vdiste.

34. Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji i Moisiut se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?».

35. Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon.

36. Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës».Pasi tha këto, Jezui iku dhe u fsheh prej tyre.

37. Megjithëse kishte bërë kaq mrekulli para syve të tyre, ata nuk besonin në të,

38. që të përmbushej fjala e profetit Isaia që ka thënë: Zot, kush i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?

39. Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe:

40. I verboi sytë e tyre dhe i ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos shohin me sy, apo të kuptojnë me zemër që të mos kthehen tek unë për t’i shëruar.

41. Këto tha Isaia sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të.

42. Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat.

43. Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë.

44. Jezui tha me zë të lartë:«Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi.

45. Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi.

46. Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë.

Gjoni 12