1. Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve.
2. Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin.
3. Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë dhe ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës.
4. Atëherë, Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha:
5. «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë dhe t’u jepeshin të varfërve?».
6. Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave dhe merrte prej saj çfarë hidhej në të.
7. Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim!
8. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».
9. Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje dhe shkuan jo vetëm për të, por edhe që të shikonin Lazarin, që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve.
10. Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin,
11. sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij dhe besonin në Jezuin.
12. Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem,
13. mori degë palmash dhe i doli para duke thirrur:«Hosana! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit,mbreti i Izraelit!».
14. Jezui gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar në Shkrimin e shenjtë: