Gjoni 11:37-46 Së Bashku (ALNT)

37. Por disa nga ata thoshin: «Ky që hapi sytë e të verbërit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?».

38. Jezui u prek përsëri në shpirt dhe shkoi te varri, që ishte një shpellë me një gur në hyrje.

39. Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr».

40. Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?».

41. Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart dhe tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove.

42. Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove».

43. Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!».

44. I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë.Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!».

45. Shumë nga judenjtë që kishin ardhur te Maria, kur panë ato që bëri Jezui, besuan në të,

46. por disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan çfarë kishte bërë Jezui.

Gjoni 11