Gjoni 11:32-45 Së Bashku (ALNT)

32. Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur».

33. Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua

34. dhe tha: «Ku e keni vënë?».Ata i thanë: «Zot, eja dhe shih!».

35. Jezui u përlot.

36. Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!».

37. Por disa nga ata thoshin: «Ky që hapi sytë e të verbërit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?».

38. Jezui u prek përsëri në shpirt dhe shkoi te varri, që ishte një shpellë me një gur në hyrje.

39. Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr».

40. Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?».

41. Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart dhe tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove.

42. Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove».

43. Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!».

44. I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë.Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!».

45. Shumë nga judenjtë që kishin ardhur te Maria, kur panë ato që bëri Jezui, besuan në të,

Gjoni 11