Gjoni 1:16-27 Së Bashku (ALNT)

16. Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij.

17. Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit.

18. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.

19. Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj dhe levitë që ta pyesin: «Kush je ti?».

20. Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti».

21. Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo».

22. Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t’u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç’thua për veten tënde?».

23. Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën për Zotin!». Kështu kishte thënë edhe profeti Isaia.

24. Të dërguarit ishin nga farisenjtë.

25. Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia dhe as profeti, atëherë, përse pagëzon?».

26. Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni.

27. Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh lidhëset e sandaleve».

Gjoni 1