Galatasve 6:1-13 Së Bashku (ALNT)

1. Vëllezër në qoftë se ndokush kapet në faj, ju që keni Shpirtin e Shenjtë ndreqeni atë me shpirtbutësi, por ruhuni se mos tundoheni edhe ju vetë.

2. Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.

3. Sepse, në qoftë se ndonjëri mendon se është dikush, duke mos qenë askush, ai mashtron veten.

4. Secili të shqyrtojë veprat e veta dhe pastaj të krenohet vetëm me veten e jo me dikë tjetër.

5. Sepse çdonjëri do të mbajë barrën e vet.

6. Kush mëson fjalën e Perëndisë, le të ndajë me mësuesin e vet të gjitha të mirat e tij.

7. Mos t’ju gënjejë mendja: Perëndia nuk vihet në lojë. Ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

8. Kush mbjell sipas dëshirave të tij mëkatare, prej tyre do të korrë shkatërrimin, ndërsa kush mbjell sipas Shpirtit të Shenjtë, do të korrë prej tij jetën e amshuar.

9. Le të mos lodhemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos dorëzohemi, do të kemi edhe të korra në kohën e duhur.

10. Prandaj, sa të kemi kohë, të punojmë për të mirën e të gjithë njerëzve, sidomos të vëllezërve në besim.

11. Shikoni me ç’germa të mëdha ju shkrova me dorën time.

12. Ata që ju detyrojnë të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqen për kryqin e Krishtit, duan të bëjnë figurë të mirë para njerëzve.

13. Madje as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin e Moisiut, por ata duan që ju të rrethpriteni që të mburren me këtë gjë.

Galatasve 6