Galatasve 4:7-16 Së Bashku (ALNT)

7. Prandaj ti nuk je më skllav, por bir; e nëse je bir, je edhe trashëgimtar përmes Perëndisë.

8. Por dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, ishit skllevër të idhujve, që prej natyre nuk janë perëndi.

9. Ndërsa tani që e keni njohur Perëndinë, ose më mirë të them u njohët prej Perëndisë, si ktheheni përsëri te këto fuqi shpirtërore të dobëta e mjerane për t’u bërë sërish skllevër të tyre?

10. Ju i kremtoni me kujdes disa ditë të veçanta, muaj, stinë dhe vite.

11. Kam frikë se u mundova më kot për ju.

12. Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju. Ju nuk më bëtë asgjë të keqe.

13. Ju e dini se herën e parë që ju predikova ungjillin isha sëmurë.

14. Megjithëse sëmundja ime ishte një sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu.

15. Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se po të kishte qenë e mundshme, ju do t’i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m’i dhënë mua.

16. A thua u bëra armiku juaj pse po ju them të vërtetën?

Galatasve 4