Efesianëve 4:13-26 Së Bashku (ALNT)

13. derisa të arrijmë të gjithë në unitetin e besimit dhe në njohjen e Birit të Perëndisë. Kështu do të bëhemi njerëz të përsosur, sipas masës së përsosmërisë së Krishtit,

14. që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këtej dhe që i vërtit era e çdo mësimi njerëzor, e që e lënë veten të mashtrohen nga dinakëria e dredhia e njerëzve.

15. Por, duke dëshmuar të vërtetën me dashuri, le të rritemi plotësisht drejt atij që është kreu, Krishtit.

16. Ai bashkon e lidh gjithë trupin nëpërmjet nyjeve dhe çdo gjymtyrë, sipas funksionit, ndihmon në rritjen e trupit dhe në forcimin e tij në dashuri.

17. Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet pagane, që mendojnë kotësira.

18. Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre.

19. Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra.

20. Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin.

21. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas së vërtetës që gjendet në të.

22. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese.

23. Përtërihuni në shpirtin dhe në mendjen tuaj

24. dhe vishni njeriun e ri, që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë që vijnë nga e vërteta e tij.

25. Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t’i thotë të vërtetën tjetrit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.

26. Zemërohuni por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar.

Efesianëve 4