1. Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë po ju shkruaj vëllezërve të krishterë që janë në Efes dhe që besojnë në Krishtin Jezu:
2. Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
3. Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror dhe qiellor.
4. Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij,
5. Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij,
6. që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm, që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur.
7. Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij dhe na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë.
8. Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri.
9. Ai na bëri të njohur planin e fshehtë të vullnetit të vet, që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit.
10. Këtë plan ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t’i vënë të gjitha gjërat nën autoritetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, ashtu edhe ato që janë në tokë.
11. Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t’u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet,
12. në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij.
13. Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të dhe Perëndia ju vulosi me Shpirtin e Shenjtë që kishte premtuar.
14. Ky Shpirt, është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij.