2 Pjetrit 2:12-22 Së Bashku (ALNT)

12. Por ata janë pa mend, si kafshët që lindin për t’u kapur e për t’u therur. Ata flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të shkatërrohen po ashtu si kafshët;

13. do të marrin shpagimin e padrejtësisë.Ata e kanë për kënaqësi kur e kalojnë ditën në shthurje. Është njollë e turp që ata të marrin pjesë në darkat tuaja kur vazhdojnë ende të kënaqen në mashtrimet e tyre.

14. Sytë i kanë plot dëshirë për të bërë tradhti bashkëshortore dhe nuk pushojnë së mëkatuari. Mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, zemrën e kanë të stërvitur për lakmi dhe janë bij mallkimi.

15. Ata e lanë udhën e drejtë dhe u mashtruan e shkuan pas udhës së Balaamit, birit të Bosorit, që donte të fitonte duke bërë padrejtësi.

16. Por ai u ndëshkua për paudhësinë e tij, sepse kafsha pa gojë foli si njeri dhe e pengoi marrëzinë e profetit.

17. Këta janë burime pa ujë dhe re që shtyhen nga era, për të cilët është ruajtur terri i errësirës.

18. Me fjalë të fryra e të kota bëjnë për vete me anë të kënaqësive trupore dhe me anë të fëlligështive ata që sapo kishin shpëtuar prej atyre që jetojnë në mashtrim.

19. U premtojnë liri kur ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse njeriu bëhet skllav i atij që e mposht.

20. Nëse ata që u larguan nga ndyrësitë e botës nëpërmjet njohjes së Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht ngatërrohen përsëri me këto gjëra dhe mposhten nga ato, atëherë gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para.

21. Do të ishte më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën, ta braktisin urdhërimin e shenjtë që iu dha.

22. Këtu ndodh si te ajo fjala e urtë dhe e vërtetë: «Qeni u kthye në të vjellat e veta».dhe«Dosa e larë u kthyetë zhgërryhet sërish në llucë».

2 Pjetrit 2