2 Korintasve 8:13-24 Së Bashku (ALNT)

13. Këtë nuk e them që të tjerët të lehtësohen e ju të futeni në vështirësi, por e them për hir të barazisë.

14. Tani ju keni mjaftueshëm dhe mund të ndihmoni ata që janë në nevojë, kështu që edhe ata t’ju ndihmojnë kur të kenë mjaftueshëm e kur ju të jeni në nevojë, që të ketë barazi,

15. siç thotë Shkrimi i shenjtë: Asgjë nuk i teproi atij që kishte shumë dhe asgjë nuk i mungoi atij që kishte pak.

16. Lavdi i qoftë Perëndisë që të njëjtin përkushtim që kam unë për ju, e vuri edhe në zemrën e Titit.

17. Ai jo vetëm që e pranoi kërkesën tonë, por, duke qenë edhe më i përkushtuar, vendosi vetë të vijë te ju.

18. Bashkë me të po dërgojmë edhe vëllanë që e lavdërojnë të gjitha kishat për shërbimin që i ka bërë ungjillit.

19. Përveç kësaj, ai është caktuar nga kishat që të na shoqërojë për ta çuar deri në fund veprën e ndihmës suaj për lavdinë e Zotit dhe për të treguar vullnetin tonë të mirë,

20. duke shmangur kështu çdo fajësim që mund të na bëhej në lidhje me administrimin e kësaj dhurate të madhe,

21. sepse dëshirojmë të bëjmë çfarë është e drejtë jo vetëm në sytë e Zotit, por edhe në sytë e njerëzve.

22. Bashkë me ta po ju dërgojmë edhe vëllanë tonë, të cilin e kemi vënë në provë shpesh dhe e kemi parë se është i përkushtuar në shumë gjëra, por që tani është më i përkushtuar se kurrë për shkak të besimit të madh që ka te ju.

23. Për sa i përket Titit, ai është shoku dhe bashkëpunëtori im për ju. Për sa u përket vëllezërve tanë, ata janë apostujt e kishave dhe lavdia e Krishtit.

24. Për këtë arsye tregojuni atyre hapur para kishave provën e dashurisë suaj dhe të arsyes që kemi për t’u krenuar me ju.

2 Korintasve 8