10. Atij që do t’i falni ndonjë faj, ia fal edhe unë. Prandaj edhe unë, kur kam falur ndonjë faj, nëse më është dashur të fal, këtë e kam bërë për ju para Krishtit,
11. që të mos dalë i fituar Satani. Ne i njohim mirë synimet e tij.
12. Kur arrita në Troadë për të shpallur ungjillin e Krishtit, megjithëse Zoti më hapi një derë për të predikuar,
13. nuk kisha prehje në shpirt, se nuk gjeta aty Titin, vëllanë tim. Atëherë u ndava prej tyre dhe shkova në Maqedoni.
14. Por i qofsha falë Perëndisë që na bën gjithmonë ngadhënjimtarë përmes Krishtit dhe që, përmes nesh, përhap njohjen e Krishtit si aromë të këndshme në çdo vend.
15. Ne jemi aroma e këndshme e Krishtit, që i kushtohet Perëndisë dhe përhapet ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që shkojnë në humbje.