1 Korintasve 14:6-19 Së Bashku (ALNT)

6. Nëse vij te ju, o vëllezër, duke folur në gjuhë të panjohura, çfarë dobie do të keni nëse nuk ju flas për ndonjë zbulesë, njohuri, profeci apo mësim?

7. Nëse veglat muzikore që nuk kanë shpirt, qoftë fyelli, qoftë qestja, nuk japin tinguj të qartë, si do të dallohet melodia e fyellit nga e qestes?

8. Nëse trumbeta nuk lëshon tingull të qartë, kush do të bëhej gati për betejë?

9. Po ashtu edhe ju, nëse flisni fjalë të pakuptueshme, kush do t’i kuptonte fjalët tuaja? Ato do të ishin fjalë në erë!

10. Në botë ka larmi gjuhësh, por asnjëra nuk është pa kuptim.

11. Nëse nuk e kuptoj gjuhën që më flasin, do të jem i huaj për atë që më flet, dhe ai do të jetë i huaj për mua.

12. Kështu edhe ju, meqë dëshironi shumë të keni dhunti shpirtërore, kërkoni që t’i keni me tepri për rritjen shpirtërore të kishës.

13. Prandaj, ai që flet gjuhë të panjohur, të lutet që të marrë edhe dhuntinë për ta shpjeguar.

14. Nëse lutem në gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, por mendja ime nuk bashkëvepron.

15. Çfarë të bëj, atëherë? Do të lutem me shpirt, por do të lutem edhe me mendje. Do të këndoj himne me shpirt, por do të këndoj edhe me mendje.

16. Sepse, nëse ti e bekon Perëndinë me shpirt, si do t’i përgjigjet ‘Amen’ falënderimit tënd dëgjuesi i thjeshtë i bashkësisë, përderisa nuk i kupton ato që thua?

17. Ti mund të bësh një lutje të bukur falënderimi, por tjetri nuk rritet në besim.

18. E falënderoj Perëndinë, sepse flas më shumë gjuhë të panjohura se të gjithë ju,

19. por në kishë dua të them pesë fjalë që kuptohen, që të tjerët të mësojnë më mirë sesa dhjetë mijë fjalë në një gjuhë të panjohur.

1 Korintasve 14